Trumpi: Kurrë nuk kam punuar për Rusinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ai asnjëherë “nuk ka punuar për Rusinë”.
Trumpi këtë deklaratë e ka bërë si një përgjigje lidhur me pretendimet e ngritura për lidhjet e tij me presidentin Vladimir Putin.
Ai i ka quajtur raportimet e tilla si një “gabim të madh”.
Trumpi i ka bërë këto komente të hënën pas një raporti të gazetës “Washington Post” ku është thënë se presidenti amerikan i kishte fshehur detajet e bisedës së tij me Putinin.
Presidenti Trump gjatë një interviste për “Fox News” më 12 janar ka mohuar se kishte fshehur detajet e bisedave të tij me Putinin nga zyrtarët e administratës.
“The Washington Post” ka theksuar se të paktën një herë, në Hamburg në vitin 2017, Trumpi ka marrë fletët e përkthyesit pas bisedimeve me Putinin dhe e ka udhëzuar atë person për të mos diskutuar me zyrtarë tjerë se çfarë kishte transkriptuar.