Trumpi: Kushtetuta nuk mbulon të drejtën për shtetësi nga lindja
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka ripërsëritur të mërkurën se do t’i japë fund praktikës që siguron automatikisht shtetësinë amerikane fëmijëve që lindin në ShBA, nëse prindërit e tyre nuk janë shtetas amerikanë apo janë emigrantë të paligjshëm.
“E ashtuquajtura e drejta për shtetësi nga lindja, e cila i kushton miliarda dollarë vendit tonë dhe është e padrejtë për qytetarët tanë, do të marrë fund në një mënyrë ose tjetër”, ka shkruar Trumpi në llogarinë në llogarinë e vet në “Twitter”, duke shtuar se as Kushtetuta e ShBA-së nuk e garanton të drejtën e shtetësisë për të gjithë të lindurit në këtë vend.
Trumpi, edhe të martën, paralajmëroi se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për ndryshimin e kësaj praktike, por nuk tha se kur.
Duke folur në një intervistë për mediet amerikane, ai tha se ShBA-ja është shteti i vetëm në botë, ku, siç u shpreh, “një person vjen, lind dhe foshnja më pas është qytetar i Shteteve të Bashkuara për 85 vjet me të gjitha përfitimet”.
Por, në fakt, të drejtën e ngjashme për shtetësi e ofrojnë edhe vende të tjera, përfshirë Kanadanë dhe Meksikën.