Trumpi mund të autorizojë ushtrinë për ofrim të ndihmës mjekësore ndaj emigrantëve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, po konsideron t’ju jap autoritet trupave amerikane në kufi me Meksikën, për të ofruar kontrolle mjekësorë për emigrantët, raporton “Reuters”.
Ky draft-propozim, që është ende duke qarkulluar nëpër administratë do të përfshinte ushtrinë në kontrollet e emigrantëve për sëmundje dhe plagë, vetëm në rast se Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e ShBA-së nuk do të ishte në gjendje të ofrojë atë shërbim, thanë zyrtarët amerikanë.
Ky propozim, do të zgjeronte misionin për Pentagonin, që ka refuzuar të komentojë. Në një njoftim, është thënë se operacioni do të mund të kushtonte 72 milionë dollarë.
Zyrtarët amerikanë janë deklaruar për “Reuters” në kushte anonimiteti, për shkak se Trumpi ende nuk e ka nënshkruar këtë propozim. Nuk është ende e qartë nëse miratimi i propozimit do të zgjaste procedurën e dërgimit të ushtarëve të tjerë në kufi.
Komandanti i misionit ka thënë për “Reuters” se numri i trupave në kufi ka arritur në 5,800 dhe se ka konsideruar kthimin e disa prej tyre në shtëpi apo ndërrimin e pozicioneve.
Rreth 6 000 emigrantë nga Amerika Qendrore kanë arritur në kufirin me Meksikën, sipas autoriteteve lokale. Pritet që edhe 10 000 të tjerë të arrijnë në ditët e ardhshme.