Trumpi mund të intervistohet në kuadër të hetimeve për Rusinë
Këshilltari special amerikan, Robert Mueller, ka informuar Shtëpinë e Bardhë, se ka mundësi të kërkojë intervistimin e presidentit amerikan, Donald Trump, në kuadër të hetimeve të tij nëse ka pasur ndonjë koordinim në mes të Rusisë dhe fushatës së Trumpit, janë duke raportuar mediet amerikane.
Duke cituar “persona që janë të familjarizuar më këtë çështje”, mediet kanë raportuar më 8 janar, se ekipi hetues i Muellerit, i ka informuar avokatët e Trumpit për diskutimet e fundit dhe se një intervistë mund të kërkohet shumë shpejt, mirëpo nuk është caktuar asnjë datë kur mund të ndodhë takimi.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kanë cilësuar diskutimin si shenjë të asaj se hetimet e Muellerit rreth supozimeve të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA janë duke iu afruar fundit.
Gjatë një hetimi paraprak të këshilltarit special që përfshinte ish presidentin amerikan, Bill Clinton, ishte vet presidenti në mesin e personave të fundit që është përballur me marrje në pyetje.
Trumpi dhe avokatët e tij kanë kundërshtuar vazhdimisht ndonjë bashkëpunim eventual me Rusinë dhe kanë premtuar se do të bashkëpunojnë në hetimet e Muellerit.
Trumpi nuk e pati larguar mundësinë e marrjes në pyetje nga Mueller kur është pyetur rreth kësaj çështje në një konferencë për media më 6 janar.
“Nuk ka pasur bashkëpunim. Nuk ka pasur ndonjë krim. Mirëpo ne kemi qenë shumë të hapur”, ka thënë Trumpi.
“Ne kemi mundur të veprojmë në dy mënyra. Kemi mundur të jemi shumë të mbyllur dhe kjo do të zgjaste me vite. Mirëpo e dini, është një gjë që kur nuk keni bërë asgjë keq, më mire le të jemi të hapur”, ka thënë Trumpi.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, avokati, Ty Cobb, ka thënë më 8 janar, se Shtëpia e Bardhë nuk diskuton bisedat e saj me Muellerin, mirëpo është duke vazhduar të bashkëpunojë “në gjetjen e një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur”, sa i përket hetimeve për Rusinë.
Derisa Trumpi pretendon se është i pafajshëm ndaj çdo krimi, zyrtarët kanë thënë se çfarëdo interviste me Muellerin mund të përbëjë rrezik për presidentin, i cili ka pranuar të ketë përdorur me raste atë që e ka quajtur “hiperbolë të vërtetë” apo “ekzagjerim të pafajshëm”.
Mueller deri tash ka nisur akuza kundër katër bashkëpunëtorëve të Trumpit, të cilët përballen me akuzat për deklarata të rrejshme gjatë intervistave të tyre me autoritetet.
Duke treguar rreziqet e të biseduarit me hetuesit e Muellerit drejtpërdrejt, disa organizata mediale kanë raportuar se avokatët e Trumpit preferojnë që atij t’i lejohen përgjigjet e shkruara.
Ndonëse misioni fillestar i Muellerit prej kur është emëruar në detyrë gjatë muajit maj, ka qenë të vërtetojë nëse ndihmësit e Trumpit kanë bashkëpunuar me Rusinë gjatë fushatës, mediet kanë raportuar se Mueller po ashtu ka hetuar nëse Trump ka kërkuar të pengojë hetimet në mënyra të ndryshme, duke përfshirë shkarkimin e ish drejtorit të FBI-së, James Comey, i cili ishte duke udhëhequr hetimet para emërimit të Muellerit.
Pengimi i drejtësisë konsiderohet krim në Shtetet e Bashkuara.
Comey ka deklaruar se Trump ka kërkuar të ndërhyjë në hetimet e tij. Ai ka dëshmuar në vitin e kaluar disa muaj pasi është shkarkuar, se Trump i ka thënë atij se dëshiron që ai t’i përfundojë hetimet për këshilltarin e tij të parë për siguri kombëtare, Michael Flyyn.
Trumpi ka hedhur poshtë këto deklarata kinse ka kërkuar nga Comey të përfundojë hetimet për një nga ndihmësit e Trumpit, i cili po ashtu është akuzuar në vitin e kaluar.
Është raportuar se Flynn tani është duke bashkëpunuar në hetimet e Muellerit.
Ekipi i Muellerit së fundmi ka zhvilluar një seri intervistash me ish ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë duke përfshirë edhe ata që janë aktualisht, në mesin e tyre ish shefin e stafit, Reince Priebus, si dhe dhëndrin e presidentit Trump, Jared Kushner. (Rel)