Trumpi: Në vitin 2024 kthehem në Presidencë, këtë vit marrim Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve

16 janar 2022 | 13:32

Mijëra mbështetës të ish-presidentit Donald Trump janë mbledhur në Arizona lidhur me zgjedhjet në ShBA që pritet të mbahen në nëntor. Ish-presidenti ka dhënë përgjigje për 6 janarin, zgjedhjet dhe ka folur për një rikthim në Shtëpinë e Bardhë në 2024.

Tetë muaj përpara zgjedhjeve të mesme në ShBA për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, ish-presidenti Donald Trump, ka mbajtur një tubim me mijëra mbështetës të tij në Arizona.

Trump është shprehur optimist për zgjedhjet në nëntorin e këtij viti, ai ka deklaruar se republikanët do të marrin edhe Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

“Ky është viti që ne do të rimarrim Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Ne do të rimarrim Amerikën dhe kjo është kaq e rëndësishme. Në vitin 2024 ne do të rimarrim Shtëpinë e Bardhë”, raporton “Oranews”.

Trumpi është ndalë edhe te 6 janari i vitit 2021 për të cilën po hetojnë disa komisione të propozuar nga demokratët.

Trumpi ka risjellë në vëmendje zgjedhjet e 3 nëntorit 2020, ku ai ka ripohuar se ato janë vjedhur dhe në fakt, hetimet duhet të përmbaheshin tek zgjedhjet, pasi kryengritjet të cilat janë finalizuar në 6 janar, ishin si pasojë e 3 nëntorit.

“Pse nuk po hetojnë 3 nëntorin, zgjedhjet e manipuluara dhe të vjedhura, prej të cilave nuk do të ketë kurrë një demokraci të lirë dhe të drejtë. Kryengritja e vërtetë ndodhi në ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor. Mos harroni kurrë, arsyeja pse demokratët dhe mediet mashtrojnë dhe kryejnë gjueti shtrigash nuk është se ata mendojnë se populli amerikan është me ta, por ata e dinë se njerëzit në fakt janë kundër tyre”, ka thënë ai.

Trumpi ka kritikuar edhe rivalin e tij në zgjedhjet e fundit, presidentin Joe Biden, për të cilin tha se është një fatkeqësi për vendin.

“Të gjithë e dinim që Joe Biden nuk do të ishte i mirë, por pakkush mund ta mendonte se do të ishte një fatkeqësi për vendin. Çfarë kanë bërë demokratët?! Inflacioni është më i keqi në 40 vjet. Çmimet e gazit janë rritur me 50 për qind, raftet e ushqimeve nëpër dyqane janë bosh”, ka thënë ai.

Trumpi, i cili ka shprehur se do të rikandidojë në 2024 është ndalë edhe te vaksinimi me detyrim i punonjësve, i cili është hedhur poshtë pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë.

Konservatori i riquajtur mandatet e vaksinave shkatërrimtare absolute për ekonominë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte luhet finalja e Superkupës së Spanjës. Superkupa e Spanjës…