Trumpi nënshkruan urdhrin për rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka urdhëruar rivendosjen e sanksioneve të mëdha ekonomike ndaj Iranit, duke pasur për cak blerjen e valutave dhe industritë kyçe.
Ky vendim i Trumpit, vjen tre muaj pasi ai ka tërhequr Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore në mes të Teheranit dhe fuqive botërore, që ishte arritur më 2015.
Përmes një njoftimi për medie, Trumpi ka përsëritur qëndrimin e tij karshi marrëveshjes bërthamore, e cila i mundësonte Teheranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor. Trumpi, sërish e ka quajtur këtë pakt si “të tmerrshëm”.
Trumpi e ka tërhequr ShBA-në nga marrëveshja në muajin maj, duke thënë se Irani nuk po i përmbahej “shpirtit” të marrëveshjes, dhe ishte zotuar se do të rivendosen sanksionet ekonomike.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve ‘që të sigurohen se regjimi iranian do të përballet vetëm me një mundësi: ose të ndryshojë kërcënimet që i bën, sjelljen destabilizuese dhe të ri-integrohet në ekonominë botërore, ose të vazhdojë rrugën drejt izolimit ekonomik”.