Trumpi ngre mure, meksikanët gjejnë “trampolinën” për të hyrë në SHBA
Ndërkohë që administrata e Trumpit po mendon seriozisht “fortifikimin” e kufirit jugor të vendit, një shqetësim gjithnjë e më i madh po bëhet numri i lartë i të huajve që po hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme nga kufiri verior me Kanadanë.
Njerëz që kalojnë kufirin në pikat e Vermontit apo Quebecut u paguajnë trafikantëve deri në 4.000 dollarë, parà që jepen zakonisht pasi emigranti hyn në tokën amerikane. Kjo është ajo që vërtetohet përmes dokumenteve gjyqësore nga zyrtarë amerikanë të emigracionit.
Edhe pse numri i të arrestuarve është shumë i vogël, krahasuar me ato në kufirin jugor, trafiku i qenieve njerëzore është po aq i sofistikuar.
“Ata janë tejet të organizuar, e kanë mbikëqyrur zonën dhe na kanë mbikëqyrur edhe neve”, thotë një agjent i patrullimit kufitar, Richard Ross.
Ajo që shkakton rritjen në këtë pjesë – thonë zyrtarët, – është lehtësia e të hyrit në Kanada, aty ku vizat nuk janë më të nevojshme për shtetasit meksikanë, por edhe fakti që është një kufi ku kontrollet dhe burimet njerëzore për monitorim janë më të ulëta sesa në kufirin jugor, aty ku mijëra persona që arratisen nga vendet e dhunshme të Amerikës Qendrore, arrestohen.
Deri më tani, gjatë këtij viti kemi pasur të paktën 267 të arrestuar përgjatë kufirit të Vermontit me Kanadanë, krahasuar me 132 që u regjistruan gjatë të gjithë vitit të kaluar.
Në sektorin e patrullimit kufitar prej 480 km me Nju Jorkun, Vermontin dhe New Hampshire, agjentët kanë kapur deri më tani 324 emigrantë të paligjshëm të ardhur nga Kanadaja, krahasuar me 165 gjatë të gjithë vitit 2017. Vetëm gjatë muajit qershor, agjentët kanë arrestuar 85 persona në këto tri shtete, krahasuar me 17 gjatë të njëjtit muaj të vitit 2017, apo 19 gjatë atij të vitit 2016.
Hyrja pa viza në Kanada për vende si Meksika dhe Rumania, një tjetër shtet ky i nënvizuar nga agjentët e patrullimit kufitar se po kontribuon në rritjen e të arrestuarve, luan një rol të rëndësishëm në bërjene kufirit verior më tërheqës për njerëzit që duan të hyjnë ilegalisht në SHBA. Një biletë avioni nga Mexico City në Montreal apo Toronto nuk kushton më shumë se 350 dollarë.
Qeveria kanadeze hoqi në fund të vitit 2016 kërkesat ndaj qytetarëve meksikanë për të aplikuar për viza për të hyrë në vend, si pjesë e përpjekjeve të gjera për të forcuar marrëdhëniet me Meksikën. Një masë e ngjashme hyri në fuqi edhe për shtetasit rumunë në fund të vitit 2017.
Top Channel