Trumpi ngre padi kundër Departamentit të Drejtësisë, kërkon 100 milionë dollarë dëmshpërblim
Donald Trump ka ngritur një padi kundër Departamentit Amerikan të Drejtësisë (DAD) për “persekutim politik”, duke kërkuar 100 milionë dollarë dëmshpërblim për kontrollin e ushtruar në pronën e tij në Florida në vitin 2022, ku ishin gjetur dokumente qeveritare konfidenciale dhe të klasifikuara.
Trumpi ka akuzuar prokurorin e përgjithshëm, Merrick Garland dhe drejtorin e FBI-së Christopher Ray për shkeljen e “protokollit” të përdorur në rastet që përfshijnë ish-presidentë për ta dëmtuar atë.
“Garland dhe Ray nuk duhet të kishin autorizuar kurrë kërkimin në (Mar-a-Lago) dhe hetimin (penal) që pasoi”, është thënë në padi, e cila kërkon 100 milionë dollarë dëmshpërblim me interes dhe 15 milionë dollarë të tjerë për tarifat ligjore.
Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit vazhdon të përsërisë, pa asnjë provë, se demokratët kanë manipuluar sistemin e drejtësisë për ta dëmtuar atë.
Dy vjet më parë, FBI-ja kishte kontrolluar pronën e Trumpit në Palm Beach, Florida, si pjesë e hetimit të saj për keqpërdorimin e supozuar të ish-presidentit të dokumenteve të klasifikuara. Në qershor 2023, Trump është paditur për 37 akuza penale për trajtimin e dokumenteve, por çështja është hedhur poshtë muajin e kaluar.