Trumpi nuk e mbështet deklaratën e G7-ës, kritikon aleatët e ShBA-së
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka nisur të hënën një varg postimesh në llogarinë e vet në “Twitter”, duke treguar zemërim ndaj aleteve të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, pas zhvillimit të takimit të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) gjatë vikendit.
Pasi është larguar nga samiti i G7-ës nga Kanadaja më herët, njoftimi i Trumpit për tërheqjen e miratimit të tij nga një deklaratë që ai fillimisht kishte pranuar, ka vënë në pah edhe një herë marrëveshjen e brishtë në tregti në mes të Uashingtonit dhe aleatëve kryesorë.
“Tregtia e drejtë tani mund të quhet tregti e pamend nëse nuk është reciproke”, ka thënë Trump, i cili është larguar nga Kanadaja në Singapor për të takuar liderin verikorean, Kim Jong Un.
“Më falni, nuk mund të lejojmë më miqtë tanë, armiqtë, të kryesojnë ndaj nesh në tregti. Ne duhet të vendosin punëtorët amerikanë në vend të parë!” ka shkruar Trumpi.
Deklarata, e cila fillimisht ishte cilësuar si tejkalim i pakënaqësive, të cilat janë shpërfaqur në samitin e G7-ës, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania, Franca, Italia, Gjermania dhe Japonia janë pajtuar për “tregti të lirë, të drejtë dhe përfituese për të gjitha palët”, duke mos lënë anash edhe luftimin e proteksionizmit.
Ende nuk është bërë e qartë nëse qasja e ashpër e Trumpit ndaj partnerëve tregtarë dhe zgjidhja e çështjes bërthamore të Koresë Veriore do të kenë ndikim në zgjedhjet kongresionale afatmesme që mbahen në ShBA në muajin nëntor.
“Nuk është e drejtë për popullin e Amerikës! Deficit tregtar 800 miliardë dollarë”, ka thënë Trump. Pse duhet unë, si president i Shteteve të Bashkuara të lejojë shtetet të vazhdojnë të bëjnë suficit masiv tregtar, siç kanë bërë për dekada, derisa bujqit tanë, punëtorët dhe taksapaguesit duhet të paguajnë një çmim kaq të madh dhe të padrejtë?”, ka shkruar Trumpi në llogarinë e vet në “Twitter”.
Shtëpia e Bardhë nuk është përgjigjur në një kërkesë të agjencisë së lajmeve “Reuters” për të kuptuar pse Trumpi është fokusuar në mosmarrëveshjet me Kanadanë, BE-në dhe partnerët e NATO-s dhe jo në zhvillimin e negociatave me Kimin.
Të hënën, Trumpi po ashtu u është rikthyer sulmeve ndaj kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, i cili ka qenë nikoqir i takimit të G7-ës në Kuebek.
“Justin duket si i lënduar kur i kërkohet të përballet!” ka thënë presidenti amerikan përmes një tjetër postimi në “Twitter”.
Të shtunën ai e ka cilësuar kryeministrin kanadez, “shumë të pandershëm dhe të dobët”.
Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow, ka akuzuar Trudeuan se ka tradhtuar Trumpin duke “ndryshuar” deklaratat në politika tregtare, të cilat siç ka thënë ai, kanë rrezikuar që lideri amerikan të duhet i dobët pak para mbajtjes së samitit historik me Kimin.
Këshilltari ekonomik, Peter Navarro, ka thënë për “Fox News Sunday” se “ekziston një vend i veçantë në ferr për secilin lider që merr pjesë në diplomaci qëllimkeqe” me Trumpin.
Trudeau nuk ka komentuar deklaratat e zyrtarëve amerikanë, mirëpo ka pasur mbështetje personale të disa liderëve evropianë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, është shprehur përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter” se “është një vend i veçantë në parajsë për Justin Trudeau”.
Kryeministrja britanike, Theresa May është treguar “mbështetëse e plotë” e Trudeau dhe udhëheqësisë së tij, ka thënë një burim i Qeverisë britanike.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë më 10 qershor se refuzimi i Trumpit për të mbështetur deklaratën e përbashkët ka “qenë pak depresive”.
“Është e vështirë, është depresive në këtë kohë, mirëpo nuk është fundi” i G7-ës, ka thënë ajo në një intervistë për televizionin public gjerman “ARD”, duke shtuar se Bashkimi Evropian është duke përgatitur kundërmasa ndaj tarifave amerikane.
Në Paris, një zyrtar i presidencës franceze, ka thënë se Franca dhe Evropa qëndrojnë mbrapa deklaratës së G7-ës dhe kushdo që largohet nga përkushtimi i bërë në samit tregon “mospërputhje”.
Disa ligjvënës amerikanë, republikanë dhe demokratë kanë shprehur shqetësimin e tyre për largimin e Trumpit nga qasja e mëparshme amerikane në tregti, për Rusinë dhe rregullin ndërkombëtar.
Senatori republikan, John McCain, i cili ka treguar edhe më parë pakënaqësi në disa çështje, ka treguar kundërshtimin e tij ndaj veprimeve të Trumpit të Kuebek.
“Për aleatët tanë: Shumica dypartiake e amerikanëve vazhdon të jetë për tregti të lirë, globalizim dhe mbështetje të aleancave, të cilat janë të bazuara në ndarjen e vlerave për 70 vjet. Amerikanët qëndrojnë me ju, pavarësisht pse jo edhe presidenti ynë”, është shprehur ai. (Rel)