Trumpi: Nuk jam racist
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se “nuk është racist”, pasi ai ishte kritikuar se ka bërë komente vulgare për Haitin, El Salvadorin dhe disa shtete në Afrikë.
I pyetur për akuzat nga disa kritikë se ai është racist, mbrëmë presidenti Trump u tha gazetarëve se “jo, jo, unë nuk jam racist”.
“Unë jam personi më së paku racist që ju ndonjëherë e keni intervistuar”, ka thënë Trumpi në klubin e tij privat të golfit në Floridë.
Mediet e Shteteve të Bashkuara kanë raportuar se presidenti Trump i kishte përshkruar imigrantët nga Afrika dhe Haiti, se vijnë nga vendet “e pista” (“shithole”), gjatë një takimi me gjashtë senatorë në Shtëpinë e Bardhë më 10 janar.
Në këtë takim, senatorët e kishin shtruar çështjen e mbrojtjes për imigrantët nga Hait, El Salvadori dhe Afrika, raporton “Rel”.
Trumpi i ka hedhur poshtë pohimet se ka bërë deklaratë të tillë, por nuk e ka elaboruar se çka ka thënë ai gjatë takimit.
Në raportet e medieve, që i kanë cituar burimet e paemëruara të afërta me takimin në Shtëpinë e Bardhë, është thënë se komentet vulgare të Trumpit kanë hasur në kritika të ashpra në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.