Trumpi nuk do të marrë pjesë në varrimin e ish-Zonjës së Parë
20 prill 2018
| 18:33
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, nuk do të marrë pjesë në varrimin e ish-Zonjës së Parë, Barbara Bush, që do të bëhet të shtunën.
Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se Trumpi do të mungojë në këtë ngjarje “për të shmangur ndërprerjet për shkak të sigurisë së shtuar dhe për respekt ndaj familjes Bush”.
Zonja e Parë, Melania, do të shkojë në funeral, është thënë në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Arkivoli i ish-Zonjës së Parë po mbahet në Kishën Episkopale të Shën Martinit në Hjuston të Teksasit.
Trumpi e quajti zonjën Bush një “person të mrekullueshëm” në një konferencë shtypi të mërkurën.
Barbara Bush ka vdekur në moshën 92-vjeçare, ka njoftuar familja e saj më 18 prill.