Trumpi paralajmëron ‘dhunë’ nëse fitojnë demokratët
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se politikat e tij do të përmbysen “dhunshëm” nëse demokratët do të fitojnë në zgjedhjet kongresionale që mbahen në muajin nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ai u ka thënë liderëve evangjelistë se vota është “referendum” për liri të shprehjes dhe religjionit dhe se këto të fundit janë duke u kërcënuar nga “persona të dhunshëm”.
Ai u ka bërë thirrje për ndihmë grupeve konservatore krishtere, duke thënë se ata janë vetëm një votë larg “humbjes së çdo gjëje”.
Zgjedhjet për Kongres janë duke u cilësuar si test për popullaritetin e presidentit amerikan.
Trumpi është përballur me publicitet negativ prej kur ish-avokati i tij, Michael Cohen dhe ish-drejtuesi i fushatës së tij, Paul Manafort janë shpallur fajtorë më herët gjatë këtij muaji.
Gjatë takimit të tij me grupet evagjeliste, Trump ka thënë se zgjedhjet e ardhshme nuk janë vetëm referendum për të por edhe për “religjionin tuaj, referendum për lirinë e shprehjes dhe Amendamentit të Parë”.
“Nuk është në pyetje pëlqimi apo jo, është në pyetje se ata do të përmbysin gjithçka që kemi bërë dhe do ta bëjnë atë shpejt dhe dhunshëm. Dhe dhunshëm. Kjo është dhunë. Shikoni antifashistët, ata janë njerëz të dhunshëm”, është shprehur Trumpi.
Me termin antifashistë, Trumpi u është referuar grupeve të së majtës ekstreme, të cilët luftojnë ideologjinë e së djathtës ekstreme dhe përleshen me protestuesit që mbështesin ideologjinë e kundërt. (Rel)