Trumpi për prokurorin Jack Smith: Është individ i çmendur, po synon të kthehet në Hagë
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump sulmoi Prokurorin e Posaçëm, Jack Smith gjatë një fjalimi të martën.
Ai e cilësoi Smithin si “të çmendur”, teksa tha se po synon që të kthehet në Hagë.
“Munda Jack Smithin. Ai është një individ i çmendur. Mendoj se ai është duke u kthyer në Hagë. Dhe ne i fituam ato raste. Ata ishin më të mëdhenjtë”, pohoi Trump. “Dhe, shtypi bëri një punë kaq të madhe prej tyre. Por ne nuk bëmë asgjë të keqe. Nuk kemi bërë asgjë të keqe për asgjë”, tha Trump, siç raporton CNN.
Kujtojmë se një gjykatëse federale bllokoi përkohësisht publikimin e raportit të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith mbi hetimet e tij ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, ndërkohë që gjykata e apelit po shqyrton kërkesën e avokatëve për të mos i publikuar ato.
Gjykatësja Aileen Cannon e mori vendimin të martën, pas kërkesës urgjente të avokatëve të mbrojtjes për t’ia ndaluar Departamentit të Drejtësisë publikimin e raportit – një hap që Prokurori Smith tha se mund të bëhej që të premten.
Çështja po trajtohet në Gjykatën e Apelit në Atlanta.
Trump reagoi duke thënë se “raporti do të jetë i rremë, ashtu siç ishin edhe hetimet e tij”.
Prokurori i Posaçëm Smith tha të martën se ekipi i tij po finalizonte raportin mbi dy çështjet që ai hetoi rreth Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të paktën njëri prej tyre mund të publikohej që të premten.
Ai e bëri këtë deklaratë si përgjigje të kërkesës së avokatëve të Trump, që i kishin kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland, të bllokonte paraprakisht raportin para se ai të bëhej publik.