Trumpi po e konsideron Grenellin për emisar të konfliktit Rusi-Ukrainë
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump po e mendon ta emërojë Richard Grenellin, ish-shefin e tij të inteligjencës, si të dërguar special për konfliktin Rusi-Ukrainë, sipas katër burimeve të njohura me planet e tranzicionit, raporton Reuters.
Grenell, i cili shërbeu si ambasador i Trumpit në Gjermani, pastaj emisar i bisedimeve Kosovë-Serbi dhe ishte ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të Trumpit 2017-2021, do të luante një rol kyç në përpjekjet e Trumpit për të ndalur luftën nëse ai zgjidhet përfundimisht për këtë post, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa aktualisht nuk ka asnjë të dërguar të posaçëm të dedikuar vetëm për zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, Trumpi po konsideron krijimin e rolit, sipas katër burimeve, të cilët kërkuan anonimitetin.
Burimet i kanë thënë Reuters-it po ashtu se Trumpi edhe mund të mos e krijojë këtë post përfundimisht, megjithëse ai është duke e konsideruar fuqimisht një gjë të tillë. “Nëse e bën këtë, ai përfundimisht mund të zgjidhte dikë tjetër për rolin dhe nuk ka asnjë garanci që Grenell do ta pranonte”, thanë më tje burimet e Reuters-it.
Trumpi u zotua gjatë fushatës për t’i dhënë fund konfliktit me shpejtësi, megjithëse nuk ka thënë se si do ta bëjë këtë.
Karoline Leavitt, një zëdhënëse për përpjekjet e tranzicionit të Trump, nuk pranoi të komentojë, përtej fjalës se vendimet e personelit të presidentit të zgjedhur “do të vazhdojnë të shpallen nga ai kur të merren”.