Trumpi po shqyrton mundësinë që t’i japë prapë disa milionë OBSh-së
Administrata e presidentit Donald Trump mund ta rifillojë pjesërisht financimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por ende nuk ka marrë një vendim.
Në një postim në “Twitter”, presidenti Trump tha të shtunën se po shqyrton një numër propozimesh, duke përfshirë uljen e kontributit ndaj kësaj organizate deri në 10 për qind të asaj që Shtetet e Bashkuara kanë paguar deri tani.
Në një projekt-letër të cituar nga televizioni “Fox News” thuhet se administrata “do të pranojë të paguajë një kontribut të njëjtë me atë që Kina paguan” për organizatën.
Deri tani, kontributi i ShBA për OBSh-në ka qenë 400 milionë dollarë në vit. Presidenti Trump e pezulloi financimin e Shteteve të Bashkuara për Organizatën Botërore të Shëndetësisë më 14 prill, duke e akuzuar atë se promovoi “dezinformimin” e Kinës lidhur me shpërthimin e koronavirusit dhe duke thënë se administrata e tij do të niste një rishqyrtim të punës së organizatës.
Zyrtarët e OBSh-së i kanë mohuar akuzat, ndërsa Kina këmbëngul se ka qenë transparente dhe e hapur. Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë./VOA