Trumpi pushon nga puna shefin e Shërbimit Sekret të SHBA-së
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përjashtuar nga puna kryetarin e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, Randolph Alles, raporton “CNN”.
Trumpi i ka thënë stafit të tij që ta pushojnë nga puna kryetarin e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Alles, dhe ata u detyruan ta zbatojnë urdhrin. Sipas burimeve të CNN-it brenda Shtëpisë së Bardhë, ka filluar një gjueti shtrigash për personat që punojnë për shërbimin e dytë më të madh sekret të Amerikës.
Ky vendim vjen një ditë pasi sekretarja e Departamentit për Siguri të Atdheut, Kirstjen Nielsen, u pushua nga puna.
Këto dy vendime vinë pasi javën e kaluar një grua kineze tentoi të hynte në vilën private të Donald Trump, e më pas u zbulua se në dhomën e saj të hotelit, i mbante disa pajisje përgjimi. Trump ka fajësuar shërbimet sekrete amerikane që nuk arritën ta zbulojnë spiunen me kohë.
Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka thënë se presidenti tashmë ka caktuar personin që do ta zëvendësojë Allesin.
“Alles ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë katër dekadave në shërbim të vendit, dhe se presidenti është falënderues ndaj tij. Alles do duhet që të largohet nga zyra e tij, dhe në vend të tij do të jetë James Murray, një anëtar i vjetër i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara. Vendimi do të hyjë në fuqi në fillim të majit, kur edhe detyrën do ta marrë Murray”.