Trumpi: Rrjedhja e pyetjeve të Muellerit, e turpshme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka thënë se është e turpshme që lista e pyetjeve, që këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, dëshiron t’ia shtrojë atij, ka rrjedhur në medie.
Muelleri është duke hetuar ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në ShBA, në vitin 2016.
Gazeta “New York Times” ka publikuar të hënën vonë dhjetëra pyetje që u janë dhënë avokatëve të Trumpit.
Pyetjet, mes tjerash, kanë të bëjnë me motivet e Trumpit për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, në maj të vitit të kaluar, dhe me kontaktet e fushatës së Trumpit me zyrtarët rusë.
“Është e turpshme që pyetjet në lidhje me ‘gjuetinë e shtrigave për Rusinë’ kanë rrjedhur në medie”, ka thënë Trumpi në llogarinë e vet në “Twitter”.
Ai ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë.
Muelleri ka ngritur disa akuza kundër ish-kryetarit të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, por asnjëra prej tyre nuk lidhet me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në ShBA.
Manafort po ashtu ka mohuar se ka pasur të bëjë me përpjekje të tilla.