Trumpi sërish hedh dyshime mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, sërish ka sugjeruar se Rusia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, të cilat i ka fituar ai.
Ai i ka bërë këto komente në llogarinë e vet në “Twitter”, disa ditë pasi i ka pranuar konstatimet e komunitetit amerikan të inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë.
Trumpi ka thënë se paraardhësi i tij, Barack Obama, e ka ditur për akuzat për ndërhyrjen e Rusisë, përpara zgjedhjeve të nëntorit, 2016.
“Përse nuk i ka thënë fushatës sonë? Sepse, e tëra është një mashtrim i madh, prandaj”, ka shkruar Trump në “Twitter”.
Trumpi vazhdimisht ka hedhur dyshime mbi konstatimet e agjencive amerikane të inteligjencës – të publikuara në një raport në janar të vitit 2017 – sipas të cilave, presidenti rus, Vladimir Putin, ka udhëruar fushatë propaganduese dhe piraterimi kundër zgjedhjeve.