Trumpi do të vendosë sanksione të reja ndaj Koresë Veriore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka thënë se do të vendosë pakon më të “madhe” të sanksioneve, kundrejt programit bërthamor të Koresë Veriore, që do të godasin mbi 50 “anije, kompani të transportit dhe biznese tregtare, që po ndihmojnë Korenë e Veriut të shmangë sanksionet”.
Trumpi pritet t’i bëjë publike këto masa gjatë një fjalimi që do të mbajë të premten, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
“Ju njoftoj se ne do të lansojmë sanksionet më të mëdha ndonjëherë ndaj regjimit të Koresë së Veriut”, është thënë në një fragment të fjalimit të presidentit.
Në këtë fjalim, që Trumpi pritet ta mbajë më vonë gjatë ditës së premte, është thënë gjithashtu se Departamenti Amerikan i Thesarit, është i vendosur që të ndërmarrë veprime për të ulur edhe më tej burimet e karburantit dhe të të ardhurave që Phenjani përdorë për të mbështetur programin e tij bërthamor dhe ushtarak, raporton “Rel”.
Njoftimet për sanksionet e reja vijnë në kohën kur në Korenë e Jugut janë duke u zhvilluar Lojërat Olimpike Dimërore, një ngjarje kjo të cilin Seuli dhe Phenjani e kanë përdorur në përpjekje për të rifilluar bisedimet.