Trumpi thotë se do ta rimarrë kontrollin në Kanalin e Panamasë
Presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, kërcënoi të dielën ta rikthejë kontrollin amerikan mbi Kanalin e Panamasë, duke akuzuar Panamanë për zbatim tarifash të tepruara për shfrytëzimin e kalimit në Amerikën Qendrore dhe duke nxitur një reagim të ashpër nga presidenti panamez Jose Raul Mulino.
Duke folur para një turme mbështetësish në Arizona të dielën, Trump tha gjithashtu se nuk do të lejonte që kanali të bjerë në “duar të gabuar”, duke paralajmëruar për ndikimin e mundshëm kinez.
Kina nuk e kontrollon apo administron kanalin, por një degë e CK Hutchison Holdings me seli në Hong Kong ka menaxhuar prej kohësh dy porte në hyrjet e Karaibeve dhe Paqësorit në kanal.
Trump i bëri komentet disa orë pasi ai bëri një kërcënim të ngjashëm kundër Panamasë në një postim në platformën Truth Social të shtunën mbrëma.
“A ka dëgjuar dikush ndonjëherë për Kanalin e Panamasë?”, tha Trump të dielën në AmericaFest, një ngjarje vjetore e organizuar nga Turning Point, një grup konservator.
Komentet e Trump janë një shembull jashtëzakonisht i rrallë që një udhëheqës amerikan të thoshte se mund të shtynte një vend sovran të dorëzonte territorin.
Ai gjithashtu nënvizon një ndryshim të pritshëm në diplomacinë amerikane nën Trump, i cili historikisht nuk i është shmangur kërcënimit të aleatëve dhe përdorimit të retorikës së fortë kur ka të bëjë me homologët, raporton VOA.