
Trumpi thotë se i ka dërguar letër udhëheqësisë së Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të negociojë një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe se i dërgoi një letër udhëheqësisë së këtij shteti, duke shtuar se shpreson që ajo do të pajtohet për të biseduar.
“Unë thashë se shpresoj që ju do të bisedoni, sepse do të jetë shumë më mirë për Iranin” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për “Fox Business” të transmetuar të premten, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Mendoj se ata duan që ta marrin këtë më vonë. Alternativa tjetër është që ne duhet të bëjmë diçka, sepse nuk mund të lejoni një armë tjetër bërthamore” – shtoi presidenti amerikan.
U duk se letra i është drejtuar liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth kësaj çështjeje.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, i diskutoi me ambasadorin iranian, Kazem Jalali, përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e situatës në lidhje me programin bërthamor të Iranit, tha të premten Ministria e Jashtme e Rusisë.