Trumpi thotë se nuk do të takohet me Rohanin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka thënë se nuk ka asnjë plan që të takohet me homologun e tij iranian, Hassan Rohani.
Megjithatë, Trumpi ka dhënë sinjale se është i hapur për një takim të mundshëm në të ardhmen me Rohanin.
“Pavarësisht kërkesave, unë nuk kam plane që të takohem me presidentin iranian, Hassan Rohani. Ndoshta në të ardhmen. Jam i sigurt se ai është njeri i dashur”, ka shkruar Trumpi në llogarinë e vet në “Twitter”.
Marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Iranit janë përkeqësuar që prej se në muajin maj, presidenti Trump ka tërhequr Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore në mes të Teheranit dhe fuqive botërore. Trumpi po ashtu ka urdhëruar rivendosjen e sanksioneve.
Marrëveshja bërthamore e arritur në vitin 2015 i mundësonte Iranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.