Trumpi u vë veto rezolutave kundër shitjes së armëve në Arabinë Saudite
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump u ka vënë veto rezolutave të Kongresit, që parashohin bllokimin e shitjes së armëve në vlerë të 8.1 miliardë dollarëve për Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Trumpi ka thënë se tri rezolutat “do të dobësojnë konkurueshmërinë e ShBA-së në botë” dhe do të dëmtojnë marrëdhënien e saj me aleatët.
Ky hap i presidentit vjen pasi të dyja dhomat e Kongresit kanë votuar për të parandaluar shitjet e armëve ndaj këtyre shteteve, raporton “Rel”.
Disa prej anëtarëve të Kongresit kanë thënë se frikësohen se armët mund të përdoren kundër civilëve në konfliktin në Jemen.
Ata kanë dënuar rolin e Arabisë Saudite në Jemen, si dhe vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Lideri republikan i Senatit, Mitch McConnell, ka thënë se brenda këtyre ditëve Senati do të vendosë nëse do ta refuzojë veton e vënë nga Trumpi.
Megjithatë, analistët kanë vlerësuar se është pothuajse e sigurt që Senati nuk do të ketë dy të tretat e votave për ta bërë një gjë të tillë.