Trumpi zotohet për publikim të planit për paqe në Lindje të Mesme
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se planifikon të prezantojë planin e tij për paqe në Lindje të Mesme më 28 janar, në ditën kur është raportuar se do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Uashington.
“Ndoshta do ta prezantojmë planin pak para vizitës”, u ka thënë Trump gazetarëve teksa ishte nisur për në Florida, pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
“Është një plan fantastik. Është një plan për të cilin kemi punuar shumë”, ka shtuar ai.
Palestinezët, që nuk kanë qenë të ftuar në Shtëpinë e Bardhë në takimin me Netanyahun, kanë dënuar menjëherë këtë njoftim.
Nabil Abu Rudeineh, zëdhënësi i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ka paralajmëruar Izraelin dhe administratën amerikane që të mos kalojnë linjat e kuqe. “Ky hap vetëm rikonfirmon kundërshtimin tonë absolut të asaj çfarë ka bërë administrata amerikane deri më tani, sidomos me njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izrealit”, ka thënë zëdhënësi.
Palestinezët janë zemëruar edhe nga ajo që e konsiderojnë si qasje pro-izraelite e Trumpit, duke përfshirë vendimin për transferim të ambasadës amerikane në Izreal nga Tel Avivi në Jerusalem.
Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i tyre në të ardhmen.
Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe ka shpallur gjithë qytetin si kryeqytet, një hap që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Trump po ashtu nuk ka përkrahur zgjidhjen me dy shtete për konfliktin disa dekadësh, një formulë ndërkombëtare që do të mund të rezultonte me funksionimin e shtetit palestinez dhe Izraelit.
Presidenti amerikan ka thënë se ka biseduar “shkurt” me palestinezët, të cilët sipas tij “kanë shumë motiv për të arritur marrëveshje”.
“Jam i sigurt se në fillim mund të reagojnë në mënyrë negative, mirëpo plani është shumë pozitiv për ata”, ka thënë Trump.