Trumpit dhe Bidenit, në rast të grindjes, iu ndalet mikrofoni
Kur kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Joe Biden, do të përballen në debatin përfundimtar në televizion, secilit do t’i ndalet mikrofoni kur tjetri është duke u përgjigjur në një pyetje.
Debati 90-minutësh është i ndarë në gjashtë segmente me nga 15 minuta. Secili kandidat do t’i ketë nga dy minuta kohë për të folur pa u penguar para se të kalohet në debat të hapur, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.
Komisioni për Debate Presidenciale të hënën njoftoi: “Me qëllim të zbatimit të kësaj mase për të cilën është arritur pajtim, kandidati i vetëm, mikrofoni i të cilit do të jetë i hapur, do të jetë kandidati që e ka fjalën sipas rregullave”.
Zyrtarët e fushatës së presidentit të tanishëm paraqitën ankesa ndaj këtij vendimi, por thanë se Republikanët do të marrin pjesë në debatin e së enjtes mbrëma.
Duke folur para gazetarëve, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se kushtet e debatit janë të padrejta: “Unë do të marr pjesë, por është shumë e padrejtë që të kemi një moderator që është tërësisht i anshëm”.
Ndryshimi i rregullit erdhi pas një debati kaotik që u zhvillua më 30 shtator, gjatë të cilit kandidatët vazhdimisht e penguan njëri-tjetrin, por Donald Trump bëri më shumë ndërhyrje gjatë kohës kur rivali Joe Biden fliste.