Trumpit i kthehet llogaria në Facebook dhe Instagram
Ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i është mundësuar kthimi i llogarive në rrjetet sociale, Facebook dhe Instagram, pasi kompania amë e tyre, Meta, ka bërë të ditur për dhënien fund të pezullimit dyvjeçar.
Vendimi për pezullim të llogarive do të përfundojë “në javët në vijim”, ka thënë gjiganti i platformave sociale.
Përmes një deklarate, Nick Clegg, president i Meta-s për çështje të jashtme, ka thënë se publiku “duhet të mund të dëgjojë çfarë thonë politikanët”.
Trumpit i ishte pezulluar qasja në Facebook dhe Instagram për afat të pacaktuar, pas trazirave në Kongresin amerikan më 2021.
Clegg ka thënë se kompania ka vepruar pas “lëvdatave” të Trumpit “për njerëzit e përfshirë në trazira”.
“Pezullimi ka qenë vendim i jashtëzakonshëm, që është marrë në kushte të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se në gjetjet e fundit është kuptuar që llogaritë e Trumpit nuk përbëjnë më rrezik serioz për sigurinë publike.
Trump, ndërkohë, ka bërë një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, duke thënë se Facebook ka humbur “miliarda” dollarë, pasi ka bllokuar “presidentin tuaj të preferuar, mua”.
Lajmi se Trumpit i është kthyer qasja në llogari, është kritikuar nga demokratët dhe disa aktivistë, të cilët kanë thënë se Trump mund të shfrytëzojë sërish llogaritë e tij për të shpërndarë pretendime të rreme.
Twitter, po ashtu, ia pati bllokuar qasjen Trumpit pas trazirave në Kongres.
Mirëpo në nëntor të vitit të kaluar, shefi i ri i Twitterit, Elon Musk, ka njoftuar për heqjen e ndalesës ndaj Trumpit, pas publikimit të një ankete në këtë platformë.
Trump nuk është kthyer në Twitter, duke thënë se “nuk shoh arsye për të vepruar ashtu”.
Më 6 janar të vitit 2021 disa protestues kanë hyrë në ndërtesën e Kongresit amerikan, në përpjekje për të përmbysur humbjen e Trumpit në zgjedhje.
Trump i ka lavdëruar publikisht ata që kanë sulmuar ndërtesën, mirëpo mohon çdo keqbërje.
Departamenti amerikan i Drejtësisë veçse ka nisur hetime penale për atë që ka ndodhur më 6 janar./rel