Trupat amerikane do të mbeten në Korenë e Jugut
Qeveria e Koresë së Jugut ka njoftuar se trupat amerikane do të mbeten në këtë vend, edhe nëse arrihet marrëveshje për të përfunduar zyrtarisht Luftën e Koresë.
Rreth 29,000 ushtarë amerikanë ndodhen në Korenë e Jugut, në bazë të një marrëveshjeje të sigurisë, të arritur pasi ka përfunduar lufta në vitin 1953.
Koreja e Veriut, më herët, ka kushtëzuar heqjen dorë nga armët bërthamore me largimin e trupave amerikane nga gadishulli.
Por, një zëdhënës i Qeverisë jugkoreane ka bërë me dije se prania e tyre nuk ka të bëjë asgjë me nënshkrimin e traktateve të paqes.
“Trupat amerikane në Korenë e Jugut janë një çështje që lidhet me aleancën midis Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar zëdhënësi Kim Eui-kyeom.
Në takimin e tyre historik, të premten e kaluar, presidenti jugkorean, Moon Jae-in, dhe ai i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, janë zotuar se do të punojnë për denuklearizimin e Gadishullit Korean dhe nënshkrimin e një traktati të paqes që do t’i jepte fund edhe formalisht Luftës Koreane.