Trupat e Koresë së Veriut luftojnë me rusët kundër Ukrainës
Vlerësimi i fundit i Pentagonit ka zbuluar se trupat e Koresë së Veriut po luftojnë dhe po vdesin përkrah forcave ruse si pjesë e luftës së Moskës kundër Ukrainës.
“Ushtarët e Koresë së Veriut janë angazhuar në luftime në Kursk, së bashku me forcat ruse”, u tha të hënën gazetarëve, zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder.
“Ne kemi të dhëna se ndër radhët e tyre ka patur të vrarë dhe të plagosur”, tha zëdhënësi Ryder, duke shtuar se pjesëmarrja e trupave koreano-veriore në luftë tani për tani është “e kufizuar në Kursk”, një rajon në Rusi.
Pentagoni nuk dha më shumë hollësi mbi viktimat ndër radhët e trupave të Koresë së Veriut.
Zyrtarët amerikanë të ushtrisë dhe të zbulimit kanë thënë më parë se Pheniani ka dërguar rreth 12,000 ushtarë në Rusi për t’u stërvitur me forcat ruse në pritje për t’iu bashkuar luftës së Moskës kundër Ukrainës.
Konfirmimi amerikan se trupat e Koresë së Veriut po luftojnë krah atyre të Rusisë kundër Ukrainës erdhi disa orë pasi agjencia e spiunazhit të Ukrainës tha se të paktën 30 ushtarë koreano-veriorë ishin vrarë ose plagosur në luftimet në disa fshatra në rajonin e Kurskut, raporton VOA.