Trupat e vdekur të ushtarëve rusë mbushin tokën ukrainase
Sot është shënuar një muaj që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, me qytete të shkatërruara, miliona që janë larguar dhe mijëra viktima që po mbushin rrugët e Ukrainës. Mykolaiv ishte ndër qytetet e para që u sulmua nga forcat ruse pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, shkruan CNN.
Por beteja për marrjen në kontroll të qytetit vazhdon ende dhe është e paqartë se për sa kohë forcat ukrainase do të jenë të gjendje të shmangin forcat pushtuese. Vitaly Kim, guvernatori i rajonit, u bëri thirrje banorëve vendas që të ndihmojnë në mbledhjen e kufomave.
Kim tha se rusët ishin tërhequr dhe kishin lënë trupat e kolegëve të tyre në fushën e betejës. Ai i dërgoi CNN foto të kufomave, duke shtuar: “Ka qindra kufoma, në të gjithë rajonin”.
Guvernatori ka bërë thirrje që trupat të vendosen në frigoriferë dhe të dërgohen në Rusi për identifikimin e tyre përmes testit të ADN-së. Por, një muaj pas luftës, është ende e paqartë se si eshtrat e ushtarëve do të dërgohen në Rusi, ku raportet për numrin e viktimave ende nuk janë publikuar.
Vendi ka fshehur çdo informacion në lidhje me realitetet e luftës së përgjakshme, duke kufizuar aksesin në raportet e mediave perëndimore, si dhe rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, në territorin rus.
Saktësisht sa trupa ruse janë vrarë në Ukrainë mbetet një mister. Ministria e mbrojtjes së Rusisë tha se ishin vrarë 498 personel ushtarak deri të hënën, kur tabloidi rus pro-Putin Komsomolskaya Pravda publikoi një raport duke përditësuar numrin në 9,861.
Shifra, e cila iu atribuua ministrisë dhe më vonë u fshi nga gazeta, e cila pretendonte se ishte hakuar nuk është konfirmuar ende nga Kremlini, zëdhënësi i të cilit Dmitry Peskov tha për CNN, se ata nuk do të bëjnë të ditur numrin e viktimave.
Ky numër përputhet me informacionin e zyrtarëve të SHBA-së dhe NATO-s, të cilët thanë se numri i viktimave ruse varion nga 3,000 deri në 10,000.
Zyrtarët ukrainas kanë pohuar se numri është edhe më i lartë, në më shumë se 15,000 të vrarë në konfliktin brutal.