Trupi i McCainit do të pushojë në varrezat e Akademisë Detare të Anapolisit
Pesë ditëve të zisë dhe ceremonive të ndryshme mortore për senatorin amerikan John McCain marrin fund sot, me varrimin e tij në Akademinë Detare në Annapolis, të Marilendit, afër Washingtonit.
McCain do të prehet pranë mikut tij të hershëm, shokut të tij të klasës në Akademi, Admiralit Chuck Larson, i cili vdiq në vitin 2014.
Gjatë gjithë këtyre ditëve populli amerikan, familjarë, miq dhe udhëheqës e nderuan senatorin McCain me disa ceremoni, ku folësit shprehën respektin e tyre për një njeri me virtyte të larta, patriot dhe të guximshëm, një ligjvënës që vuri gjatë gjithë jetës së tij interesat e Amerikës mbi gjithshka, duke kapërcyer edhe linjat partiake.
Vetë McCain kishte kërkuar që në shërbesën përkujtimore të tij të flisnin dy ish-presidentë, dikur rivalë të tij në politikë, George W. Bush dhe Barack Obama, duke dhënë një mesazh të qartë për politikanët amerikanë: bashkëpunimin për interesat e vendit.
Në një letër lamtumire drejtuar kombit, zoti McCain shkruante: “E dobësojmë madhështinë tonë kur ngatërrojmë patriotizmin me rivalitetet fisnore që kanë mbjellë fyerje, urrejtje dhe dhunë në mbarë anët e globit. E dobësojmë kur fshihemi pas mureve të larta, në vend që t’i shembim ato; kur vëmë në dyshim fuqinë e idealeve tona, në vend që të besojmë se ato do të jenë forca e madhe për ndryshim, siç kanë qenë gjithnjë”. /VoA