
Trupi i Papa Françeskut do të zhvendoset sot në bazilikë
Trupi i Papa Françeskut do të transferohet mëngjesin e sotëm në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ceremonia fillon në orën 9 të mëngjesit, tha Vatikani.
Trupi i Papës aktualisht prehet në një arkivol në kapelën e Casa Santa Marta, ku ai jetoi gjatë papatit të tij 12-vjeçar.
Vatikani njoftoi dje se varrimi i Papa Françeskut do të bëhet të shtunën në orën 10:00 në sheshin e Shën Pjetrit. Ai do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë Major në Romë.
Në lamtumirën e fundit do të marrin pjesë qindra mijëra besimtarë, si dhe liderë të huaj si presidenti amerikan Donald Trump, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Selia e Shenjtë publikoi dje pamjet e para të Papa Françeskut në një arkivol të hapur, i rrethuar nga dy roje zvicerane në kapelën e rezidencës Santa Marta të Vatikanit, ku ai jetonte.
Papa, i cili vdiq nga një goditje në tru në moshën 88-vjeçare, ka veshur një mitër të bardhë dhe petka liturgjike të kuqe, ndërsa mban një rruzare.