Truss: Do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë ushtarake për Ukrainën deri në fitoren e saj kundër Rusisë

22 shtator 2022 | 11:03

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën deri në fitoren e saj  kundër Rusisë.

Kështu ka thënë kryeministrja britanike, Liz Truss në fjalimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të 77-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Në këtë moment kritik të luftës, unë zotoj se do të ruajmë ose rrisim mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën për aq kohë sa të duhet. Ne nuk do të ndalemi derisa Ukraina të triumfojë”, ka thënë Truss.

Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka kërkuar që Rusia të ndëshkohet për krimet, të cilën presidenti amerikan, Joe Biden e ka akuzuar për “shkelje” të parimeve themelore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Truss ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka njoftuar mobilizimin e qindra mijëra rezervistëve, “po përpiqej të justifikonte dështimin e tij katastrofik” në Ukrainë.

Por kjo “nuk do të funksionojë”, ka thënë Truss, duke shtuar  se aleanca ndërkombëtare është e fortë dhe Ukraina është e fortë.

Për Liz Truss “ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm vendin e tyre, ata po mbrojnë vlerat tona dhe sigurinë e të gjithë botës” dhe “kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë”.

Kryeministrja është zotuar se “deri në vitin 2030, Mbretëria e Bashkuar do të shpenzojë 3 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen, duke ruajtur pozitën e saj udhëheqëse si një faktor sigurie në Evropë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, konkretisht hetues policor nga rajoni i Ferizajt…