Trusti deklaron 3 miliardë euro nën menaxhim
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust) ka bërë me dije se për herë të parë është arritur vlera e 3 miliardë eurove neto nën menaxhim në fund të gushtit të këtij viti.
Në njoftimin e Trustit është thënë se gjatë periudhës janar-gusht 2024, mjetet nën menaxhim janë ngritur për më shumë se 300 milionë euro krahasuar me fundvitin e vitit 2023.
“Ngritja e këtij tetëmujori erdhi nga kontributet e reja (rreth 200 milionë euro) dhe kthimi nga investimet (rreth 165 milionë euro ). Por njëkohësisht rreth 60 milionë euro u zbritën nga fondi për pagesat mujore të pensioneve dhe shpenzimet e tjera. Prej fillimit të operimit të FKPK-së (më 2002), një-miliardëshi i parë i mjeteve neto nën menaxhim është arritur më 2014 ndërsa dy-miliardëshi më 2021”, ka njoftuar Trusti.
Më tutje është bërë me dije se mjetet që Trusti i ka aktualisht nën menaxhim përbëhen prej pagesave të kursimeve pensionale nga kontribuuesit me 2.34 miliardë euro dhe kthim nga investimet me 600 milionë euro.
“Përveç mjeteve aktuale nën menaxhim, prej themelimit e deri më tani janë tërhequr edhe rreth 675 milionë euro nga përfituesit e FKPK-së (përfshirë këtu edhe rreth 200 milionë euro nga tërheqja e parakohshme për 10 përqishin)”, ka njoftuar Trusti.