Trusti konfirmon: Vlera e aksioneve në vitin 2022 është tkurrur për 118 milionë euro
Zëvendësdrejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trusti, Agron Krasniqi, ka treguar se sa ishin humbjet e këtij institucioni gjatë vitit 2022.
Sipas tij, gjatë gjithë historisë së këtij institucioni janë vetëm tre vite me humbje, ndërsa gjatë 20 viteve të tjera, ka thënë ai, Trusti ka pasur vetëm bilanc pozitiv.
Zëvendësdrejtori i Trustit tregon se rëniet në tregjet financiare kanë nisur menjëherë pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe si rrjedhojë viti 2022 është mbyllur me minus 118 milionë euro.
Ai këtë periudhë e cilëson normale për shkak të lëvizjes së tregjeve dhe e krahason me vitin paraprak kur fitimet ishin mbi 227 milionë euro.
“Pra viti 2022 është viti ku është diskutuar më së shumti dhe ka pasur lajme bombastike se është dalë me humbje, kjo humbje për të cilën po flitet në standaret financiare quhet kthim negativ ose humbje e parealizuar, pra nuk kemi arrit të realizojmë fitimin që kemi synuar. Viti 2022 ka përfunduar me kthim negative prej – 5.5%. Pra është e vërtetë që kemi një kthim negativ apo humbje mbi 118 milionë euro, por një vit më parë në vitin 2021 kishim një vlerë rekorde të kthimit të investimeve që prej themelimit të Trustit Pensional”, ka shtuar mesh tjerash Krasniqi.
Viti 2022 nuk është viti i vetëm në historinë e Trustit që është mbyllur me humbje. Në vitin 2008 vlera e aksioneve kishte rënë nga 320 milionë në 90 milionë euro si dhe në vitin 2018 rënia e vlerës së aksioneve të Trustit ishte mbi 5%. Express.