Trusti: Mbi 100 milionë euro rritje nga investimet për gjashtëmujorin e parë
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKP) e ka përmbyllur gjysmëvitin e parë 2019 me kthim bruto mbi 100 milionë euro nga investimet. Tregjet gjatë këtij gjashtëmujori kanë qëndruar në kuota pozitive, edhe pse kishte disa tronditje të forta në tregjet financiare posaçërisht në muajin maj.
“Treguesit ekonomikë dhe ata të afarizmit të korporatave ishin inkurajues për investitorët. Ndërkohë kishte edhe një zbutje në luftën tregtare mes fuqive të mëdha. Megjithatë rreziku i përkeqësimit të tensioneve politike vazhdon të jetë aktual, për çka do të duhet një vigjilencë e shtuar për të ruajtur nivelin e vlerës së ngritur edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit, i cili do te jete sfidues për shkak luhatshmërive në tregjet financiare”, është thënë në njoftim e Fondit të Kursimeve Pensionale i Kosovës, duke u shtuar se në nën këto kushte, Bordi Drejtues është duke ndjekur aktivisht lëvizjet dhe varësisht prej pritshmërive është duke bërë alokimin taktik mbrojtës të mjeteve.
“Tashmë Bordi e ka shtuar edhe një fond të ri investues (BlackRock – iShares Edge S&P 500 Minimum Volatility Euro Hedged) me qëllim menaxhimin sa më të mirë të luhatjeve në tregjet financiare. Po ashtu, Bordi vazhdon të jetë i përkushtuar në shtimin e investimeve në Kosovë, brenda mundësive të përcaktuara ligjore. Investimi i më shumë mjeteve në depozitat bankare është në proces e sipër, ndërsa vazhdon pjesëmarrja në të gjitha ankandet e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës”, është në njoftimin e FKP-së.
Sipas këtij njoftimi, me këto lëvizje tejet pozitive në investime, por dhe me kontributet e reja, mjetet nën menaxhim u shtuan për rreth 180 milionë euro këtë periudhë, për të arritur në 1,863 milionë euro. “Rreth 24 për qind e këtyre mjeteve ishin në Kosovë, kurse pjesa tjetër (76 për qind) ishin të investuara në tregjet financiare. FKPK-ja prej themelimit dhe deri më 30 qershor 2019 ka kthim bruto nga investimet prej rreth 450 milionë euro”, është theksuar në njoftimin e FKP-së.
/Epoka e re/