Trusti njofton se kanë përfituar plus 227 milionë euro me kthimin nga investimet për vitin 2021
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK), ka njoftuar se ka përmbyllur vitin 2021 me rezultat shumë të kënaqshëm nga investimet, me kthimin bruto që kapi shumën prej +227 milionë euro.
“Kjo shifër nominale është më e larta prej themelimit të institucionit. Ndërsa rritja e çmimit të njësisë për këtë vit ishte 10.65%, krahasuar me rritjen prej +3.03% për vitin 2020”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas njoftimit thuhet se në total mjetet pensionale u rritën me 365 milionë euro këtë vit, duke shkuar në 2.35 miliardë euro.
“Në fund të 2021-s rreth 77% e mjeteve nën menaxhim ishin të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare, kurse pjesa tjetër në Kosovë – sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Investimet në tregjet financiare ndërkombëtare vazhdojnë të kontribuojnë me rreth 95% në totalin e performancës investuese”, thuhet në njoftim.
Sikurse kërkohet në parimet e vendosura në Ligjin mbi Fondet Pensionale dhe bazuar në strategjinë investuese të FKPK-së, Bordi Drejtues përgjatë vitit 2021, i ndihmuar nga menaxhmenti e stafi profesional i FKPK-së, ka ndërmarrë mbi 40 vendime për alokime të ndryshme të mjeteve pensionale.
“Duke konsideruar se 2021-shi ishte vit i afektuar nga pandemia, luhatshmëria në tregjet financiare dhe lëvizjet e ndryshme makroekonomike, strategjia investuese e FKPK-së është adaptuar në baza të rregullta, duke angazhuar edhe fonde të reja, për të mbajtur likuiditetin, sigurinë dhe diversifikimin e portofolit.
Pritjet janë që viti 2022 të ketë luhatshmëri të lartë për shkak të pandemisë, vonesave në zinxhirin furnizues, inflacionin, rritjen e kamatave nga bankat qendrore dhe faktorët e tjerë gjeostrategjikë. Rrjedhimisht Bordi Drejtues mbetet i përkushtuar që të veprojë sipas kushteve dhe lëvizjeve në tregjet financiare”, thuhet më tej në njoftimin e Trustit.