Trusti pa Bord, nga opozita e quajnë tendencë për kapje nga pushteti

05 prill 2023 | 15:21

Ndër shumë problematika të shprehura në institucionet kosovare, me këtë qeveri e dallueshme është mungesa e Bordeve. Kësisoj edhe Trustit Pensional të Kosovës i kanë mbetur bosh pozitat kyçe udhëheqëse. Një fakt si ky është më se i rëndë në kohën kur ky institucion ka shënuar humbje milionëshe. E një gjë e tillë është e papranueshme nga opozita e njohës të fushës, shkruan Syri net Kosova.

Rrjedhimisht, telashet financiare në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar edhe tek mjetet e investuara të Trustit. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, nga janari 2023 e deri më 20 mars 2023, Portofoli Standard (ku përfshihen të gjithë kontribuesit deri në moshën 63 vjeçare) ka një rënie prej -1.5% ose një kthim bruto prej rreth -36 milionë euro.

Megjithatë, zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, ka dhënë sinjale pozitive se situata po shkon drejt përmirësimit.

“Kemi pasur përmirësim gjatë javës së kaluar dhe aktualisht Portofoli Standard ka kthim pozitiv prej +0.34% (ose +7.97 milionë euro) për periudhën 1 janar 2023 deri më 3 prill 2023. Ndërsa në Portofolin Konservativ për këtë periudhë kemi kthim prej +0.86% (ose rreth 1.05 milionë euro)”, ka thënë ai për Syri net Kosova.

Më tej, Demi ka theksuar se pa Bordin, përkundër rezultateve pozitive nuk mund të ketë ndryshime të investimeve.

“Andaj nga këto të dhëna shohim një stabilizim të momentit në tregjet financiare. Ndërsa në mungesë të Bordit Drejtues, sikurse e kemi bërë të ditur, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës nuk mund të bëjë ndryshim të investimeve”, ka përfunduar ai.

Trusti pa Bord, PDK e quan tendencë për kapje

Arben Mustafa, ekonomist nga PDK-ja ka deklaruar se aktualisht kursimet pensionale të qytetarëve kosovarë kanë mbetur nën mëshirën e fatit.

“Përderisa kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës po ballafaqohen me një rënie të konsiderueshme të vlerës, ka mbi një muaj që Trusti ka mbetur pa Bord Drejtues, që do të thotë se është pa organin kryesor vendimmarrës për investimin e kursimeve pensionale. Në një situatë si kjo, kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës janë lënë në mëshirë të fatit, sepse aktualisht në Trust nuk mund të merret asnjë vendim që ka të bëjë me investimet e tyre. Pra, aktualisht, pavarësisht rrezikut me të cilin mund të ballafaqohen kursimet pensionale të qytetareve të Kosovës, Trusti nuk mund të marre asnjë vendim për tërheqjen apo zhvendosjen e tyre drejtë instrumenteve më të sigurta financiare”, është shprehur ai.

Sipas Mustafës krejt kjo gjendje ka ardhur si pasojë e paaftësisë së kësaj qeverie, përkatësisht ai e bën përgjegjës ministrin e Financave, Hekuan Muratin.

Për Mustafën më këtë vonesë të emërimit të Bordit të Trustit po tentohet nga pushteti që të kapet edhe ky institucion.

“Kjo situatë është krijuar si rezultat i papërgjegjësisë dhe paaftësisë së institucioneve të Kosovës për të zgjedhur anëtarët e rinj të Bordit Drejtues të Trustit, ku barra kryesore e këtij dështimi i bie Ministrit të Financave i cili nuk treguar gatishmëri për të zhvilluar më tutje procedurat e zgjedhjes së anëtareve të rinj. Arsyet e këtij veprimi të Ministrit te Financave, bazuar në raportimin e tij në Komisionin për Buxhet dhe Financa, lidhen me kandidatët të cilët kanë aplikuar për këto pozita të cilët si duket nuk i kanë “pëlqyer” Ministrit. Kjo paraqet tendencën e kësaj Qeverie dhe të partisë në pushtet për të kapur edhe institucionin e Trustit ashtu si shumë institucione të tjera në vend. Përderisa Ministri po pret të gjejë zgjidhje se si do ta shtrijë ndikimin e tij partiak në një institucion të pavarur si Trusti, kursimet pensionale të qytetareve të Kosovës po zvogëlohen dhe po mbeten në mëshirë të zhvillimeve në tregjet financiare ndërkombëtare”, ka shtuar ai për Syri net Kosova.

Të emërohet me urgjencë Bordi i Trustit

Edhe njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa ka vlerësuar se organet kompetente duhet shumë shpejt ta emërojnë Bordin.

“Sa i përket Trustit pa bord, organet përgjegjëse mendoj se do të duhej që sa më shpejt ta emërojnë bordin sepse në mes vitit 2021 dhe 2022, sipas të dhënave statistikore ka humbje diku rreth 120 milionë euro. Andaj do të duhej të veprohet me urgjencë në ketë aspekt sa më shpejt aq më mirë do të ishte”, është shprehur ai për Syri net Kosova.

Kujtojmë që viti 2022 nuk është viti i vetëm në historinë e Trustit që është mbyllur me humbje. Në vitin 2008 vlera e aksioneve kishte rënë nga 320 milionë në 90 milionë euro si dhe në vitin 2018 rënia e vlerës së aksioneve të Trustit ishte mbi 5%.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka…