Trusti pensional deri më tani humbi mbi 100 milionë euro
Shkruan: Medain Hashani
Kultura e fondeve pensionale ka filluar nga viti 1889 ne Gjermani, nga ideja e Bismarck-ut. Sistemi i kontributeve pensionale në Gjermani është bazuar në parimin e solidaritetit në mes të gjeneratave.
Të punësuarit nga baza e pagës që merrnin paguanin për kontributin pensional dhe kontribuonin në grumbullimin e fondit për shpërndarjen e atij fondi për gjeneratat të cilat dilnin në pension. Në Kosovë Fondi i kursimeve pensionale ka filluar së funksionuari nga gushti i vitit 2002.
Fondi i kursimeve pensionale është një nga fondet më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Aktivitetin e përgjithshëm të fondit të kurismeve pensionale e rregullon Kuvendi Republikës së Kosovës ndërsa e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës. BQK-ja në këtë rast duhet të ketë rol mjaft të madh në mbikëqyrjen e Fondit të Kursimeve Pensionale sidomos në orientimin e investimeve në tregjet e kapitalit. Mjetet e grumbulluara të fondit të kursimeve pensionale investohen nga Bordi Drejtues i fondit.
Në vitin 2022, investimet fondeve pensionale janë bërë kryesisht në kompani ndërkombëtare të cilat menaxhojnë fondet pensionale si “Lyxor US 10Y Inflation Expectations ETF” dhe “Lyxor 2-10Y EUR Inflation Expectations ETF”, “Lyxor Euro Stoxx Banks ETF”, “iShares Edge MSCI Europe Value ETF”, “Invesco KBË Bank ETF”, “Vanguard Value ETF”, “USO Oil ETF”, “Nasdaq QQQ ETF”, etj. Për dallim nga vitet tjera në vitin 2022, nëse e analizojmë punën e Bordit ka pasur çdo muaj lëvizje të shpejta të investimeve të mjeteve të fondit, tërheqje të investimeve riinvestime e shumë gjëra të tjera. Nëse analizohen më detalisht këto vendime të Bordit pothuaj se janë vendime mjaft të ngutshme dhe jostrategjike sepse me mjetet e fondit duhet pasur kujdes gjatë vendimeve për investime.
Nga këto investime të ndryshme të cilat i kanë bërë, gjatë vitit 2022 kanë bërë tërheqje të investimeve dhe riinvestime si duket i kanë kushtuar qytetarëve të Kosovës në zvogëlimin e vlerës së aksioneve të tyre të cilat i kanë në fondin e kursimeve pensionale në Kosovë. Nëse i analizojmë të dhënat financiare të fondit del se vlera e aseteve neto në vitin 2021 ka qenë 2 miliard e 311 milion dhe çmimi i njësisë ka qenë 1.7222 €. Shuma e njësive nëse i vejmë në raport vlerën e aseteve me çmimin e njësive i bjen se janë 1,342,118,695.27 njësi. Andaj, duke u bazuar në këto të dhëna dhe përgjegjësinë të cilën e ka Bordi i Fondit dhe BQK-ja në mbikëqyrjen e fondit në vitin 2022 ka pasur rënie çmimit të njësive nga 1.7222 € sa ka qenë në vitin 2021 në 1.6474 € me datën 13.05.2022.
Kjo rënie e çmimit të njësive ka një ndikim në rënien e vlerës së fondit pensional për të gjithë qytetarët e Kosovës në shumën prej 100 milion e 274 mijë €. Për këtë rënie të vlerës kaq të madhe me mbi 100 milion si duket qytetarët e Kosovës nuk e kanë vërejtur.
Prandaj Bordi i Fondit pensional të kursimeve të Kosovës duhet të ketë përgjegjësi për një keqmenaxhim të tillë dhe mos orientim të duhur të investimeve. Kjo papërgjegjësi vërehet edhe në mbledhjet të cilat janë mbajtur për vitin 2022 nga ana e Bordit ku për tërë vitin 2022 janë mbajtur vetëm 5 mbledhje, duke I patur parasysh rrethanat e krizës financiare, inflacionin që është duke u rritur me një trend mjaft të lartë dhe krizën në Ukrainë. Kjo papërgjegjësi duhet të analizohet nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Kosovës dhe të merren masat për tejkalimin e kësaj situate jo të favorshme për qytetarët e Kosovës.