Trusti me rekord në investime, mbi 100 milionë euro kthimi për 2017-n
Kthimi bruto nga investimet (në vlerë nominale) për vitin 2017 pritet të jetë në nivelin rekord qysh prej themelimit të institucionit. Deri më 14 dhjetor 2017 kthimi bruto nga investimet për vitin (1 janar 2017 deri 14 dhjetor 2017) arriti në rreth 102 milionë euro.
Ndërsa në përqindje kjo performancë u reflektua në një rritje të çmimit të aksionit prej 6.42%. Ky rezultat në fushën e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) vlerësohet nga Bordi Drejtues si tejet i kënaqshëm.
Me anë të një komunikate për medie është bërë me dije se kthimi bruto në total prej themelimit të FKPK-së e deri në këtë datë ka shkuar në rreth 407 milionë euro.
“Rolin kryesor në këtë performancë të investimeve të FKPK-së e patën investimet në tregun financiar jashtë Kosovës, duke kontribuar në pjesën dërrmuese edhe në totalin e kthimit nga investimet. Nuk duhet anashkaluar se baza e rritjes së vlerës së investimeve të FKPK-së qëndron në një zhvillim të përgjithshëm të tregjeve financiare globale, ku edhe janë plasuar rreth 90% e mjeteve të FKPK-së. Ky vit, pra deri në këtë datë të raportimit, ka njohur stabilitet dhe rritje të qëndrueshme ekonomike globale, që erdhi si nga përmirësimi i treguesve ekonomikë po ashtu edhe nga lehtësirat monetare në qendrat kryesore ekonomike. Këto ishin parakushtet e rritjes së optimizmit të investitorëve, e që njëkohësisht FKPK-ja kishte një strategji investuese që arriti të vjelë këtë zhvillim pozitiv në tregje”, thuhet në komunikatën e TRUST-it.