Tryeza për familjen, Latifi: Do t’i ndajmë nga 500 euro për çdo lindje
Në tryezën e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me temën “Familja – roli, sfidat dhe mbrojtja”, krerët e partisë kanë diskutuar rreth problemeve në familje dhe për përmirësimin që duan ta arrijnë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se si parti kundërshtojnë çdo tendencë për zhvlerësimin e familjes dhe shtoi se kjo temë po diskutohet në kohë të duhur.
“AAK-ja është parti atdhetare dhe në thelb ka atdheun. Këto vlera janë të lidhura mes vete, janë të vlerësuara në të gjitha kohërat. Aleanca angazhohet për familje me mirëqenie ekonomike dhe me të ardhura që e sigurojnë familjen. Do të kundërshtojmë çdo tendencë për zhvlerësimin e familjes”, deklaroi Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi theksoi se familja shqiptare tradicionalisht ka qenë institucioni i rëndësishëm.
Në fjalën e tij, ai përmendi edhe iniciativën për ndarjen e 500 eurove për secilën lindje në këtë komunë.
Ndërsa, kryetari i Demokracisë Konservatore, Avdullah Klinaku tha se emigracioni i theksuar e sistemi shëndetësor janë disa prej rreziqeve me të cilat po përballen familjet.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjo temë duhet të diskutohet në mënyrë profesionale.
“Po e bëjmë këtë për të dhënë një shembull se diskursi publik për atë që e ka mbajtur kombin shqiptar, për familjen, ta bëjmë në formën më profesionale e transparente”, tha ai.