Tryezat e partive politike vlerësohen blerje kohe
Tryeza e partive politike për tejkalim të krizës institucionale dhe politike, e cila është organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të mbahet sot (mërkurë) në orën 13:00 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se një ndër tri temat që do të diskutohen në këtë tryezë do të jenë edhe zgjedhjet e parakohshme.
Ai ka thënë se shumica e partive politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë tryezë, shkruan “Epoka e re”.
Ndërkaq politologu Ramush Tahiri nuk beson në suksesin e iniciativave të subjekteve politike për arritjen e konsensusit kombëtar rreth çështjeve të mëdha.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë të pasinqerta dhe do të dështojnë. Sipas tij, subjektet politike nuk do t’u përgjigjen pozitivisht këtyre iniciative, duke i vënë kushte njëra-tjetrës.
“Qëllimi i këtyre iniciativave është për të blerë kohë dhe për të mos e humbur elektoratin. Pra, për ta mbajtur gjendjen e tensionuar në sensin pozitiv, duke thënë se kemi një agjendë dhe se jemi duke u munduar ta gjejmë një konsensus kombëtar për çështje të mëdha”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se një iniciativë të tillë do duhej ta merrte presidenti i vendit.