Tsipras mirëpret ndryshimet kushtetuese në Maqedoni
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka mirëpritur ndryshimet kushtetuese në Parlamentin e Maqedonisë, për ndryshimin e emrit, duke e konsideruar si fund të marrëdhënieve të luhatshme mes dy vendeve fqinje.
Maqedonia ka aprovuar të premten në Parlament propozimin e ndryshimit të emrit në Republika e Maqedonisë Veriore, pas dështimit të referendumit me moskalim të pragut prej 50 për qind.
Çështja e emrit ka bllokuar edhe tentimin e Maqedonisë për t’ju bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian, për shkak se Greqia ka qëndruar pas deklaratave se Maqedonia është provincë greke nën të njëjtin emër.
Propozimi për emrin duhet të kalojë edhe në procedura tjera, duke përfshirë edhe kalimin në Parlamentin grek.
“Sot është ditë historike për politikën tonë të jashtme, për shkak të vendimit të Parlamentit të Maqedonisë, që hap rrugën drejt implementimit të marrëveshjes historike”, ka thënë Tsipras.
Marrëveshja, që u arrit verën e këtij viti në Prespë në mes kryeministrit Zaev dhe Tsipras, pritet t’i hapë rrugë Maqedonisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.