T’u harroftë emri
Avdush Canaj
Ti ishe në detyrë.
Kishe shitur shpirtin lirë
tek ata që hapnin varre për ne.
Më pa tinëz me ata sy dhelpëraku,
më pa teksa vëja një gur
në kalanë e nisur të Atdheut.
Duke fërkuar duart e ndyta,
s’ishin duar,
putra ishin,
u ngute te korbëtarët.
Këndove për mua para tyre
si bilbil.
Ti, ai ngelaqi,
dy vjet me një klasë.
Dhe ata erdhën,
siç dinë të vijnë ata,
me natën pus,
me prangat në duar
më vranë
te rruga e Kalasë,
më vranë.
Të pashë
në kortezhin tim të gjatë
të dhimbjes,
sa rruga e dritës,
ishe edhe ti,
kishe ndërruar gëzofin,
qaje me lot dhelpërakësh
Ti, o Zot i Madh!
Kur Kalasë sonë
iu vu kulmi
me flamurin e gjakut,
ishe
në mesin e luftëtarëve,
shokëve të mi!
Fshiva sytë,
të mos më mashtroj mjegulla,
ti ishe ai!
Bëje selfi me ta.
Po, po, ti!
Sot rrah gjoks
si gjeli majë plehu
e s’ndalesh.
Flet
për Ushtrinë Çlirimtare të Atdheut,
flet për bijtë e lirisë,
agimtarët!
Vë edhe kurora lulesh
mbi varret e tyre!
Kinse përkulësh.
Ti!
Pse emri im i gdhendur
në gurët e Kalasë
të trishtoi?!
Pse u dridhe?!
Ai lumë i djerësve të akullta
pse të mbuloi?!
O, ditëzi,
t’u harroftë emri!
S’mund të duroj më,
nga varri do të ngrihem
të tregoj të vërtetën
për ty,
në ditën e pazarit
të pështyj në sy,
o i mallkuari i Zotit!
Të vraftë kafshata ime!
Të vraftë loti i nënës
Dhe i babës tim!
Dënesja e motrave të mia.
Ofshama
e fëmijëve të mi të palindur,
të vraftë!
Ptu!
Gjak i prishur!
Ptu!