Tubimet e nëntorit 1988

21 nëntor 2024 | 13:31

Në 30-vjetorin e emërtimit të njësiteve guerile UÇK

Ragip Shala

Gjatë 17-21 nëntor 1988, të gjitha rrugët e K.S.A. të Kosovës vërshonin me shqiptarë të gjitha moshave, ata marshuan në këmbë për të protestuar para Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Të parët marshuan minatorët e Trepçës, pastaj në mbështetje të minatorëve, marshoi e tërë Kosova. Pushtetarët e KSA të Kosovës i patën emërtuar tubime, por ato ishin më tepër se kaq, ishin një revoltë, një shpërthim i popullit, kundër rrethanave socio-politike të shqiptarëve në Kosovë.
Ndonëse pranvera republikane 1981, ishte paqësore, krerët e LK të Prishtinës, dhe Beogradit kërkesën Kosova Republikë e vlerësuan armiqësore dhe kundërrevolucionare.
Pikërisht kuadro të larta të Lidhjes Komuniste të Kosovës: Azem Vllasi, Ali Shukriu, Agim Zatriqi, Veli Deva, Kolë Shiroka, Rrahman Morina etj, nxituan t’i konstatonin armiqësore kundër RSFJ-së, që pastaj u hapi shtigje mësymjes së hegjemonizmit dhe shovenizmit serb ndaj shqiptarëve.
Mësymja hegjemoniste dhe shoveniste serbe kundër shqiptarëve u manifestua me fushata mediatike, tubime histerike dhe forma të ndryshme të luftës speciale që u prinin Akademia e Shkencave të Beogradit, Kisha Ortodokse serbe të mbështetur nga gjeneral të APJ-së dhe krerë të LKJ-së.
As Kryesia e KSA të Kosovës, as Komiteti Krahinor i LK nuk iu kundërvunë asaj fushate të egër kundër shqiptarëve, përkundrazi ata bënin gara se cili po dëshmohej më besnik ndaj Beogradit në dëm të Kosovës.
Shqiptarët sulmoheshin nga të dy anët, sa nga pushtetarët e Beogradit sa nga ata të Prishtinës. Grupi i gjashtës së LK të Kosovës: Azemi, Aliu, Agimi, Veliu, Kola dhe Rrahmani, pasi formuan komisionin për ndryshime kushtetuese, miratuan të gjitha kërkesat e Serbisë me arsyetim se “Kosova nuk humbë asgjë”.
Shkëputja e krerëve të udhëheqjes kosovare prej popullit, krijoi një boshllëk politik deri në braktisje që rëndë peshonte mbi shqiptarët.
Në ato rrethana politike populli filloi të vetëorganizohej në mbrojtje të vlerave familjare dhe kombëtare, përballë sulmeve të gjithanshme serbe.
Vendimi i grupit të gjashtës të LK të Kosovës për ndryshime kushtetuese shkaktoi pakënaqësi të madhe në popullin shqiptar që pasoi me protesta të ndryshme.
Të parët ngritën zërin minatorët e Trepçës të cilët marshuan në këmbë për në Prishtinë, pastaj u pasuan nga tërë shtresat e popullit anë e mbanë Kosovës.
Mëse 500 mijë shqiptarë gjatë pesë ditëve defiluan para Komitetit Krahinor të LK në Prishtinë në mbrojtje të dinjitetit familjar e kombëtar.
Grupi i gjashtës komuniste do të përkujdesej që revoltën e popullit ta manipuloi për dobi personale. Ata përmes O.Th. të LK do ndërhynin në brendi të turmave duke i ndikuar që të brohorisnin “Tito partia”, “Rroftë K.Q. i LKJ”, Rroftë vëllazërim – bashkimi” etj. I dhimbshëm ishte ky manipulim, kur dëgjoje që t’u brohoritej pikërisht asaj politike që kishte shkaktuar dhe vazhdonte t’i shkaktoi vuajtje, shtypje politike, ekonomike, kulturore, arsimore mbi popullin shqiptar.
Pasi Kryesia e KSAK, kryesia e Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste për ambicie të tyre karrieriste duke i shërbyer aspiratave hegjemoniste dhe shoveniste serbe braktisën popullin, LPK-ja nuk do të rrinte duarkryq.
LPK-ja përmes trakteve i kërkonte popullit të braktisur që të kërkonte Kosovën Republikë por jo vetëm kaç? Struktura të lëvizjes klandestine kanë hyrë në mesin e protestuesve duke ndikuar në ndryshimin e brohoritjeve ahistorike në brohoritje në mbrojtje të drejtave kombëtare shqiptare.
Afrim Zhitia tani më ishte liruar nga burgu dhe së bashku me Fadil Vatën dhe strukturën drejtuese të LPK-së do t’i qëndronin pranë popullit duke parashtruar kërkesën për Republikë.
Pikërisht ishte djelmëria klandestine që me angazhime konkrete depërtoi në mesin e protestuesve në Prishtinë duke bërë kthesë historike të brohoritjeve nga “Tito – partia” në brohoritje Kosova Republikë.
Në mbrëmjen e 21 nëntorit 1988 djelmëria klandestine: Asllan Kastrati, Ahmet Gashi, Blerim Dervishi, Bekim Xhemaili, Mejdi Gega, Ismet Sylejmani, Nesim Morina, Naim Zhitia, Shaqir Kryeziu, Sinan Kryeziu, Selim Zeqa, Ruzhdi Kolgeci, Ruzhdi Cikaqi, Ragip Shala, Xhevat Qerimi, Xhevdet Mazreku etj. arritën që ta shndërronin protestën për Kosovën Republikë.
Mëse 15 mijë qytetarë në rrugët e Prishtinës duke filluar nga Fakulteti Filozofik, vazhduar nga kompleksi spitalor deri te qyteti i studentëve kanë brohoritur Kosova Republikë deri në mesnatë.
Stuhia e reshjeve të borës ka ndikuar që të nesërmen të ndërpriteshin protestat në gjithë Kosovën , dhe marshimet për në Prishtinë. Mbase grupi i gjashtës të Lidhjes Komuniste do të jenë me fat që Kosovën e mbuloi bora dhe ngricat, përndryshe kërkesa për Kosovën Republikë do të vërshonte si një lumë rrugët e Kosovës në nëntor 1988.
Grupi i gjashtës do t’i “hanin kryet” njëri-tjetrit që rezultoi me shkatërrim të LKJ-së, si dhe shpërbërje të përgjakshme të RSFJ-së.
LPK-ja, pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme në Kosovë, okupimit ushtarako – policor, nuk ndaloi veprimtarinë politiko – ushtarake gjatë tërë etapave të shpërbërjes së RSFJ-së.
Pajtoi popullin me faljen e 2500 gjaqeve, pastaj themeloi UÇK-në, organizoi luftën çlirimtare që rezultoi me çlirimin e Kosovës prej okupimit serb.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit