Tubimet me mërgatën, Gërvalla pyetet se kush paguan për to – arsyetohet duke thënë “s’ishin fushatë”

04 nëntor 2024 | 18:19

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur lidhur me tubimet që ajo bashkë me Kryeministrin Albin Kurti kanë mbajtur me mërgatën. Një i tillë është mbajtur dje në Vjenë.

Gërvalla është pyetur edhe se nga kush financohen këto tubime dhe nëse po organizohen në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas Gërvallës, takimet herë organizohen nga ambasada, konsullata por edhe shoqata. Ajo tha se kushdo që e bën organizimin, edhe e financon atë, shkruan Reporteri.net.

“Ka raste kur takimet organizohen nga shoqata. Ka raste, si në rastin e djeshëm që organizohen nga misionet tona diplomatike, prandaj është një përzierje varësisht se nga kush vjen iniciativa, si vjen dhe është një lidhje e cila është kaq e fortë saqë Kosovën e bën unike edhe në rajon edhe Evropë. Në Gjermani herën e kaluar janë organizuar nga shoqatat, mirëpo ka të ndryshme. Diku organizon ambasada, diku konsullata, dike organizohen brenda ambasadës, diku në ambiente të tjera dhe varësisht se kush e organizon, ai natyrisht se edhe e financon”, deklaroi Gërvalla.

Ajo mohoi se takimet po mbahen në kuadër të fushatës. Tha se me të filluar fushata, do të shtohen takimet por edhe se do të ndryshojnë temat që do t’i flasin.

“Prandaj nuk kemi hyrë në fazën e fushatës. Kur të hyjmë në vazhdën e fushatës elektorale do ta shihni që do të shtohet ritmi, do të shtohen takimet dhe do të ndryshojë edhe gjuha e takimeve dhe përmbajtja që do të shërbejnë për fushatë, sesa bashkëbisedim ppër zhvillim ekonomik, nxitja e investimeve të mërgatës, regjistrim të mërgatës, mësim të gjuhës shqipe, që kanë qenë tema të takimit mbrëmë”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja tha se kudo që udhëtojnë jashtë vendit, mundohen që mbrëmjet t’i ndajnë për takime me mërgimtarët. Madje, shtoi se mbajtja e tyre është edhe traditë.

“Në këtë prizëm, dje kemi takuar qytetarë të Kosovës në Vjenë, kemi takuar në Amerikë, kemi takuar në Gjermani, kudo që shkojmë në kuadër të takimeve që kemi me ndërkombëtarët, përpiqemi secili prej nesh që mbrëmjen ta ndajmë me mërgimtarët. Diku grupi është më i madh, diku grupi është më i vogël. Diku e shfrytëzojmë kohën duke takuar vetëm studentët, diku tjetër bizneset, diku tjetër bisedë me qytetarë, por takimet e formës së bashkëbisedimit mes kryeministrit dhe pjesëtarëve të mërgatës, apo ministers së jashtme dhe diasporës apo presidentes dhe mërgatës, janë një format që ka qenë shumë aktiv ehde në vitet 90’të dhe është një traditë”, deklaroi Gërvalla para gazetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Xavier Bettel, me të nisur…