Tucheli kërkon largimin e 9 futbollistëve nga Chelsea
Chelsea ishte klubi më aktiv në merkaton e verës së kaluar. Presidenti Roman Abramovich shpenzoi mbi 200 milionë paund për të sjellë në “Stamford Bridge” emra si Timo Werner, Kai Havertz apo Hakim Ziyech.
Skuadra nuk po funksiononte mirë nën drejtimin e Frank Lampard dhe drejtuesit e klubit londinez shkarkuan nga detyra trajnerin më 25 janar. Vendin e ish-mesfushorit e zuri Thomas Tuchel.
Trajneri gjerman ka bërë mirë deri tani. Chelsea renditet në vend të katërt në Premier dhe do të garojë me Porto për një biletë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, një mision gjysmë i realizuar pas fitores së parë me rezultatin 0-2 në Portugali.
Vera e ardhshme pritet të jetë sërish tepër aktive. Tuchel pret përforcime, por do të ketë edhe lojtarë të larguar. “The Mirror” raporton se plot nëntë lojtarë të “Bluve të Londrës” janë me valixhe gati.
Të padëshiruarit e trajnerit janë Tammy Abraham, Kepa Arrizabalaga, Emerson Palmieri, Antonio Rudiger, Fikayo Tomori (i huazuar te Milani), Jorginho dhe tre lojtarët e tjerë të huazuar: Ross Barkley, Ruben Loftus-Cheek dhe Michy Batshuayi.