Tucheli pritet të emërohet trajner i Anglisë
Federata e Futbollit të Anglisë është në bisedime me Thomas Tuchel dhe mund ta konfirmojë së shpejti emërimin e tij si përzgjedhësi më i ri i Anglisë sipas “Sky Sports”.
Siç ka raportuar “Sky Sports”, FA janë momentalisht duke negociuar kushtet e kontratës së Tuchel së bashku me përfaqësuesit e tij.
Është bërë me dije se Anglia mund ta konfirmojë emërimin e gjermanit në stol së shpejti pasi ai është kandidati kryesor për ta zëvendësuar Gareth Southgaten.
Javën e kaluar gazetari Christian Falk kishte raportuar se ish-trajneri i Bayernit dhe Chelseat ka hyrë në bisedime me Anglinë për mundësinë e një bashkëpunimi mes tyre.
Në ndërkohë “The Times” kishte raportuar të hënën se Federata gjithashtu ka bërë kontakte edhe me Pep Guardiolën, por që ai nuk u ishte përgjigjur kërkesës së tyre.
Përzgjedhësi i përkohshëm i Anglisë, Lee Carsley, la në dyshim të ardhmen e tij pas humbjes ndaj Greqisë javën e kaluar duke thënë se shpreson të rikthehet në menaxhim të grupmoshave U21.
Tuchel i cili ka mbetur i papunë që prej se u shkarkua nga Bayern Munichu, është lidhur me një kalim të mundshëm edhe tek Manchester United, por siç duket në fund do të përfundojë tek Anglia