Tuhina: Tifozët, motivi ynë në Evropian
Federata e Basketbollit e Kosovës për herë të parë organizon një Kampionat Evropian të Divizionit B, derisa vashat e Kosovës U20 debutojnë në shtëpi, në një ngjarje kaq madhore.
Synimi i tyre është të fitojnë përvojë nga ky evropian. Mosha mesatare në ekipin e Kosovës është 17 vjeç dhe për këtë arsye vashat e Kosovës kanë nevojë për përkrahje. Madje Astera Tuhina është vetëm 14-vjeçare, por luan me Kosovën U20.
“Tifozët janë lojtari ynë i gjashtë në parket. Ne kemi një grup shumë të reja të lojtareve dhe synimi ynë është të fitojmë përvojë. Ne duam të bëjmë paraqitje të mira dhe ndihma e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne. Me ndihmën e tyre e kemi më lehtë në fushë”, ka thënë Tuhina për faqen zyrtare të FBK-së. Ajo foli edhe për përgatitjet me Kosovën U20.
“Jemi munduar të përgatitemi për Evropianin që zhvillohet në shtëpinë tonë. Jemi në grup me Turqinë dhe Rumaninë, ku do ta kemi shumë vështirë, megjithatë angazhimi ynë nuk do të mungojë në fushë”, ka shtuar 14-vjeçarja që luan me Spanjën. Evropiani zhvillohet nga 3 deri më 11 gusht në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe Palestrën ‘1 Tetori’. “Ky Evropian është shumë i rëndësishëm për basketbollin, sidomos atë të femrave. Duhet t’i përkrahim të gjithë që të merren me basketboll. Andaj u bëj thirrje të gjithëve që të vijnë të shohin ndeshje shumë cilësore”, ka shtuar Tuhina. Në këtë Evropian marrin pjesë 12 kombëtare, që do të luftojnë për trofeun shumë të çmuar.