Tuhina transferohet në ShBA
Një hap i madh për Astera Tuhinën, nënshkruan për Washington State
Njëra nga basketbollistet më të talentuara të Kosovës, Astera Tuhina ka bërë një hap të madh në karrierën e saj. Tuhina ka nënshkruar për Washingon State Cougars në ShBA, ku do të garojë në NCAA Divizion 1.
Astera do të jetë pjesë e Washingston State nga edicioni i ardhshëm. Ajo do të vazhdojë të luajë në Spanjë, te skuadra Deportivo Promete, ku ka luajtur edhe në Superligën spanjolle, një sukses i madh për basketbollisten e Kosovës.
Trajnera e Washingston State, Kamie Ethridge është shprehur shumë e lumtur për nënshkrimin me basketbollisten e Kosovës, duke e lavdëruar atë dhe duke shtuar se do të jetë pjesë e rëndësishme për edicionin e ardhshëm.
“Ajo ka pasion, këmbëngulje, ashpërsi dhe një përpjekje të pamëshirshme për të bërë gjithçka që duhet që ekipi i saj të ketë sukses. Ajo mund të gjuajë për 3 pikë dhe ajo është shumë kreative në lëvizjet e saj drejt koshit. Energjia me të cilën luan Astera është ngjitëse dhe tifozët tanë do ta pëlqejnë sa fort luan. Jemi të emocionuar që kemi fituar besimin e Asterës dhe familjes së saj. Ajo do të jetë një shtesë e shkëlqyer për familjen tonë”, u shpreh Ethridge.
Astera Tuhina është vetëm 17 vjeçare dhe ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Kosovës, si dhe ka debutuar për Kosovën A në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në Qipro, si basketbollistja më e re. Gjatë verës së fundit ishte edhe pjesë e Kosovës U20.