Tun Bardhoku, ‘mollë sherri’ në mes të Prishtinës dhe Vëllaznimit

19 qershor 2019 | 09:39

FC Prishtina e ka transferuar dhe prezantuar Tun Bardhokun si lojtar të lirë, por në anën tjetër KF Vëllaznimi vlerëson se klubi kryeqytetas po vepron në mënyrë të çuditshme për faktin se po bisedon me futbollistin pas ‘krahëve’ të Vëllaznimit dhe se i njëjti futbollist ka kontratë të vlefshme me klubin nga Gjakova.

Futbollisti Tun Bardhoku është bërë “mollë sherri” në mes dy klubeve me traditë në futbollin e Kosovës, Prishtinës dhe Vëllaznimit. Skuadra kryeqytetase e transferoi futbollistin nga Gjakova, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i KF Vëllaznimit që konfirmon se 25-vjeçari ka kontratë me Vëllaznimin.

“Informata se futbollisti ynë Tun Bardhoku ka kaluar te radhët e Klubit të Futbollit ‘Prishtina’ na ka befasuar për faktin se futbollisti Bardhoku ka kontratë të vlefshme me klubin tonë. Jemi të befasuar edhe me sjelljen e zyrtarëve të klubit Prishtina, të cilët, edhe pse e kanë ditur që Bardhoku ka kontratë me Vëllaznimin, kanë vënë kontakt me futbollistin pa e paralajmëruar fare klubin tonë, që paraqet shkelje të dispozitave të rregullores për transferimin dhe regjistrimin e lojtarëve të FFK-së”, thuhet në reagimin e KF Vëllaznimi.

Skuadra kuqezi ka sqaruar se Tun Bardhoku ka biseduar me kryetarin e klubit, Agim Cana dhe nga i njëjti ka marrë premtimin se nuk do të pengohet nëse i jepet rasti që të angazhohet në ndonjë klub jashtë Kosovës. Ndërsa skuadra e “bardheklatër” konfirmon se Bardhoku është transferuar si futbollist i lirë.
Për faqen zyrtare te FC Prishtina, Bardhoku ka folur si futbollist “bardhekaltër”. Ai thënë se e ka zgjedhur Prishtinën për faktin se është ndër skuadrat më të mëdha në vend dhe më e trofeshme.

“Thjesht zgjodha Prishtinën për arsye se është ndër klubet më të vjetra dhe më e trofeshmja në vend. Është kënaqësi e madhe që një klub si Prishtina të më ofrojë që t’i shërbej me cilësitë e mia. Po ashtu, ishte edhe zgjidhje e vështirë, sepse kisha edhe një ofertë të mirë jashtë vendit dhe ndërmjet dy opsioneve, vendosa për ngjyrat e Prishtinës”, ka thënë Bardhoku, duke shtuar: “Prishtina është klub i madh, ka ekip mjaft cilësor, ka shumë konkurrencë, por unë kam besim se do ta përballoj konkurrencën. Besoj që mund ta rikthejmë titullin e kampionit”.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekspertë rumunë kanë vlerësuar se disa nga universitet në Kosovë…